Add parallel Print Page Options

28 "Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut;

të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë, në rast se dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd:

Do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra.

I bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.

Të bekuara do të jenë shporta dhe magjja jote.

Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del.

Zoti do të veprojë në mënyrë që armiqtë e tu, që ngrihen kundër teje, të munden para teje; do të dalin kundër teje nëpër një rrugë, por do të ikin para teje nëpër shtatë rrugë.

Dhe Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi ty në hambaret e tua dhe mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë; dhe do të të bekojë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep.

Zoti do të të vendosë në mënyrë që të jesh për të një popull i shenjtë, ashtu si të është betuar, në qoftë se do të respektosh urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të ecësh në rrugët e tij;

10 kështu tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit, dhe do të kenë frikë prej teje.

11 Zoti, Perëndia yt, do të të mbushë me të mira, me frytin e barkut tënd, me frytin e bagëtisë sate dhe me frytin e tokës sate në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tu.

12 Zoti do të hapë për ty qiellin, thesarin e tij të mirë, për t’i dhënë tokës sate shiun në kohën e duhur dhe për të bekuar veprën e duarve të tua; ti do t’u japësh hua shumë kombeve, por nuk do të marrësh asgjë hua.

13 Zoti do të bëjë që të jesh koka dhe jo bishti, dhe do të jesh gjithnjë lart dhe kurrë poshtë, në rast se u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tënd, që sot të urdhëron t’i respektosh dhe t’i zbatosh në praktikë.

14 Kështu nuk do të shmangesh as djathtas, as majtas nga asnjë prej fjalëve që sot ju urdhëroj, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t’u shërbyer atyre.

15 Por në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë.

16 Do të jesh i mallkuar në qytet dhe do të jesh i mallkuar në fshat.

17 Të mallkuara do të jenë shporta jote dhe magjja jote.

18 I mallkuar do të jetë fryti i barkut tënd, fryti i tokës sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.

19 Do të jesh i mallkuar kur hyn dhe i mallkuar kur del.

20 Zoti do të dërgojë kundër teje mallkimin, rrëmujën dhe mosmiratimin për çdo gjë mbi të cilën do të vësh dorë dhe që do të bësh, deri sa ti të shkatërrohesh dhe të vdesësh shpejt, për shkak të ligësisë së veprimeve të tua në të cilat më ke braktisur.

21 Zoti do të bëjë që të të zërë murtaja, deri sa të konsumohesh prej saj në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar.

22 Zoti do të godasë me ligështim, me ethe, me mahisje, me vapë djegëse, me shpatë, me plasje dhe vrug, që do të ndjekin deri në shkatërrimin tënd.

23 Qielli mbi kokën tënde do të jetë prej bakri dhe toka poshtë teje do të jetë prej hekuri.

24 Zoti do ta kthejë shiun e vendit tënd në rërë dhe pluhur, që do të bien mbi ty deri sa të shkatërrohesh.

25 Zoti do të të braktisë në disfatë dhe në masakër para armiqve të tu; do të dalësh kundër tyre nga një rrugë dhe do të largohesh prej tyre duke ua mbathur nëpër shtatë rrugë; dhe kështu do të bëhesh një objekt urrejtjeje nga ana e të gjitha mbretërive të dheut.

26 Kufomat e tua do t’u shërbejnë si ushqim tërë zogjve të qiellit dhe kafshëve të tokës, dhe askush nuk ka për t’i përzënë.

27 Zoti do të të godasë me ulcerën e Egjiptit, me hemorroidet, me zgjeben dhe me qerren, sëmundje nga të cilat nuk do të mund të shërohesh.

28 Zoti do të të godasë me marrëzinë, me verbërinë dhe me shushatjen e zemrës;

29 dhe do të ecësh me tahmin në mes të ditës, ashtu si ecën i verbëri në errësirë; nuk do të kesh mbarësi në rrugët e tua, por do të jesh vetëm i shtypur dhe i zhveshur vazhdimisht pa pasur ndihmën e askujt.

30 Do të fejohesh me një femër, por një burrë tjetër do të bjerë në shtrat me të; do të ndërtosh një shtëpi, por nuk do të banosh në të; do të mbjellësh një vresht, por nuk do të mbledhësh rrushin e tij.

31 Kau yt do të vritet para syve të tu, por ti nuk do të hash mishin e tij; gomarin tënd do të ta marrin në praninë tënde dhe nuk do të ta kthejnë; delet e tua do t’ua japin armiqve të tu dhe askush nuk do të të ndihmojë.

32 Bijtë e tu dhe bijat e tua do t’i jepen një populli tjetër; sytë e tu do të shikojnë dhe do të përgjerohen tërë ditën nga dëshira për t’i parë, dhe dora jote do të jetë pa fuqi.

33 Një popull që ti nuk e ke njohur, do të hajë frytin e tokës sate dhe të gjithë mundit tënd, dhe pa tjetër do të jesh i shtypur dhe i dërmuar vazhdimisht.

34 Do të çmëndesh para pamjes që do të shohin sytë e tu.

35 Zoti do të të godasë në gjunjët dhe në kofshët me një ulcer të keqe, nga e cila nuk do të mund të shërohesh, nga tabani i këmbëve deri në majë të kokës.

36 Zoti do të të çojë ty dhe mbretin tënd, që e ke vënë mbi ty, në një komb që as ti, as etërit e tu, nuk e keni njohur; dhe atje do t’u shërbeni perëndive të tjera prej druri dhe prej guri;

37 dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve pranë të cilëve do të të çojë Zoti.

38 Do të çosh shumë farë në arë por do të korrësh pak, sepse karkaleci do ta gllabërojë.

39 Do të mbjellësh vreshta, do t’i punosh, por nuk do të pish verë as do të mbledhësh rrush, sepse krimbi do t’i hajë.

40 Do të kesh ullinj në të gjithë territorin tënd, por nuk do të lyesh me vaj, sepse ullinjtë e tu do të bien.

41 Do të të lindin bij dhe bija, por nuk do të jenë të tutë, sepse do të shkojnë në skllavëri.

42 Tërë pemët e tua dhe frytet e tokës sate do të jenë pre nga karkalecit.

43 I huaji që ndodhet në mes teje do të ngrihet gjithnjë e më lart mbi ty dhe ti do të biesh gjithnjë e më poshtë.

44 Ai do të të japë hua, por ti nuk do t’i japësh hua atij; ai do të jetë koka dhe ti bishti.

45 Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty, do të të ndjekin dhe do të të zënë deri sa të shkatërrohesh, sepse nuk iu binde zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet që ai të ka urdhëruar.

46 Ato do të jenë si një shenjë dhe si një mrekulli për ty dhe pasardhësit e tu, për gjithnjë.

47 Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë,

48 do t’u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgojë kundr teje, në një gjendje urije, etjeje, lakuriqësie dhe mungese të çdo gjëje; dhe ai do të vërë një zgjedhë të hekurt rreth qafës sate deri sa të të shkatërrojë.

49 Zoti do të sjellë kundër teje nga larg, nga skajet e dheut, një komb të shpejtë, si shqiponja që fluturon, një komb gjuhën e të cilit ti nuk do ta kuptosh,

50 një komb me një pamje të egër që nuk do të respektojë plakun dhe nuk do të ketë mëshirë për të voglin,

51 dhe do të hajë frytin e bagëtisë sate dhe prodhimin e tokës sate, deri sa të shkatërrohesh; dhe nuk do të lërë as grurë, as musht, as vaj as pjelljet e lopëve të tua ose pjelljet e deleve të tua, deri sa të të ketë shkatërruar.

52 Dhe do të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, deri sa të rrëzohen në të gjithë vendin muret e larta dhe të fortifikuara te të cilat kishte besim. Do të të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, në të gjithë vendin që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

53 Përveç kësaj gjatë rrethimit dhe në fatkeqësinë në të cilën do të të katandisë armiku yt, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe të bijave të tua, që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

54 Njeriu më zemërbutë dhe më delikat do të ketë një zemër kaq keqdashëse ndaj vëllait të tij, ndaj gruas që pushon mbi kraharorin e tij e ndaj fëmijëve që ka akoma,

55 sa të mos i japë asnjerit prej tyre mishin e bijve të tij, që ai do të hajë për vete, sepse nuk do t’i mbetet asgjë gjatë rrethimit dhe në mjerimin në të cilin do ta katandisin armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.

56 Gruaja më zemërbutë dhe delikate midis jush, që për delikatesën dhe elegancën e saj do të kishte guxuar të vendoste tabanin e këmbës në tokë, do të ketë një zemër keqbërëse ndaj burrit që pushon mbi gjirin e saj, ndaj djalit dhe vajzës së saj,

57 ndaj placentës që del nga barku i saj dhe ndaj fëmijëve që lind, sepse ajo do t’i hajë fshehurazi, për shkak se çdo gjë mungon gjatë rrethimit dhe për shkak të mjerimit të madh që do të pësosh nga armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.

58 Po të mos kesh kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji, që janë shkruar në këtë libër, duke pasur frikë nga ky emër i lavdishëm dhe i tmerrshëm, Zoti, Perëndia yt,

59 atëherë Zoti do të lëshojë mbi ty dhe mbi pasardhësit e tu mjerime të papërshkrueshme, të mëdha dhe të zgjatura, si dhe sëmundje të këqija dhe të qëndrueshme;

60 përveç kësaj do të kthejë mbi ty të gjitha sëmundjet e Egjiptit, nga të cilat kishe frikë, dhe ato do të të ngjiten.

61 Edhe të gjitha sëmundjet dhe tërë fatkeqësitë e pashkruara në librin e këtij ligji, Zoti do t’i sjellë mbi ty, deri sa të shkatërrohesh.

62 Kështu do të mbeteni pak, mbasi keni qenë shumë si yjet e qiellit, sepse nuk i je bindur zërit të Zotit, Perëndisë tënd.

63 Dhe do të ndodhë që, ashtu si Zoti ndjente kënaqësi t’ju bënte të mirë dhe t’ju shumëzonte, po kështu Zoti do të ndjejë kënaqësi duke ju zhdukur dhe shkatërruar; dhe do t’ju rrëmbejnë nga vendi ku po hyni për ta pushtuar.

64 Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga njeri skaj i tokës në tjetrin; dhe atje ti do t’u shërbesh perëndive të tjera, që as ti as etërit e tu nuk i keni njohur kurrë, perëndi prej druri dhe prej guri.

65 Dhe midis atyre kombeve nuk do të gjesh prehje dhe vend ku të pushojnë tabanët e këmbëve të tua; aty Zoti do të të japë një zemër të drithëruar, sy përgjërues dhe ankth në shpirt.

66 Jeta jote do të qëndrojë përpara pezull në pasiguri; do të dridhesh natën dhe ditën dhe nuk do të kesh asnjë siguri për qenien tënde.

67 Në mëngjes do të thuash: "Ah, të ishte mbrëmje!," dhe në mbrëmje do të thuash: "Ah, të ishte mëngjes!," për shkak të llahtarës që do të mbushë zemrën tënde dhe të pamjes që do të shohin sytë e tu.

68 Dhe Zoti do të të kthejë në Egjipt me anije, nëpër rrugën që të pata thënë: "Nuk do ta shohësh më kurrë!". Dhe aty do t’ju ofrojnë armiqve tuaj për t’ju shitur si skllevër dhe si skllave, por askush nuk do t’ju blejë".