Add parallel Print Page Options

Fjala e Zotit që iu drejtua Joelit, birit të Pethuelit.

Dëgjoni këtë, o pleq, dëgjoni, ju të gjithë banorë të vendit. A ka ndodhur vallë një gjë e tillë në ditët tuaja apo në ditët e etërve tuaj?

Tregouani bijve tuaj, dhe bijtë tuaj bijve të tyre, dhe bijtë e tyre brezit tjetër.

Atë që la krimbi e hëngri karkaleci, atë që la karkaleci e hëngri larva e karkalecit, atë që la larva e hëngri bulkthi.

Zgjohuni, o të dehur, dhe qani; vajtoni ju të gjithë, që pini verë, për mushtin që ju hoqën nga goja.

Sepse një komb i fortë dhe i panumërt ka dalë kundër vendit tim. Dhëmbët e tij janë dhëmbë luani, dhe ka stërdhëmbë luaneshe.

Ka shkatërruar hardhinë time, e ka bërë copë-copë fikun tim, ia ka hequr lëvoren krejt dhe e ka hedhur tutje; degët e tij kanë mbetur të bardha.

Vajto si një virgjëreshë e veshur me thes për dhëndrrin e rinisë së saj.

Nga shtëpia e Zotit janë zhdukur ofertat e ushqimit dhe libacionet; priftërinjtë, ministrat e Zotit, pikëllohen.

10 Fusha është shkretuar, vendi është në zi, sepse gruri u prish, mushti u tha dhe vaji humbi.

11 Pikëllohuni, o bujq, vajtoni, o vreshtarë, për grurin dhe për elbin, sepse të korrat e arave humbën.

12 Hardhia u tha, fiku u tha, shega, hurma, molla dhe tërë drurët e fushës u thanë; nuk ka gëzim midis bijve të njerëzve.

13 Ngjeshuni me thes dhe mbani zi, o priftërinj, vajtoni, ministra të altarit. Ejani, rrini tërë natën të veshur me thasë, o ministra të Perëndisë tim, sepse oferta e ushqimit dhe libacioni u zhduk nga shtëpia e Perëndisë tuaj.

14 Shpallni agjërim, thërrisni një kuvend solemn. Mblidhni pleqtë dhe tërë banorët e vendit në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe i klithni Zotit.

15 Mjerë ajo ditë! Sepse dita e Zotit është e afërt; po, do të vijë si një shkatërrim nga i Plotfuqishmi.

16 A nuk u hoq vallë ushqimi para syve tona, dhe gëzimi dhe hareja nga shtëpia e Perëndisë tonë?

17 Farërat po thahen nën plisa, depot janë katandisur të shkreta, hambaret e grurit po rrënohen, sepse gruri u tha.

18 Sa vuajnë kafshët! Kopetë e gjedhëve sillen më kot, sepse nuk ka kullotë për ta; lëngojnë edhe kopetë e deleve.

19 Te ty, o Zot, unë këlthas, sepse një zjarr ka gllabëruar të gjitha tokat për kullotë dhe një flakë ka djegur të gjithë drurët e fushës.

20 Edhe kafshët e fushave i ngrenë sytë drejt teje, sepse rrjedhjat e ujit janë tharë dhe zjarri ka gllabëruar tokat për kullotë.