Add parallel Print Page Options

Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë të ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit.

Kaloni në Kalneh dhe shikoni, që andej shkoni në Hamathin e madh, pastaj zbrisni në Gathin e Filistejve. A janë vallë ato më të mira nga këto mbretëri ose territori i tyre është më i madh nga ai juaji?

Ju doni të largoni ditën e keqe, por e afroni selinë e dhunës.

Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla.

Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore;

pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit.

Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen.

Zoti, Zoti, është betuar për veten e tij, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Unë nuk e shoh dot me sy madhështinë e Jakobit dhe i urrej pallatet e tij; prandaj do t’ia jap armikut në dorë qytetin me tërë ato që përmban".

Dhe do të ndodhë që, po të lënë dhjetë burra në një shtëpi, do të vdesin edhe ata.

10 Kur një i afërt do të vijë me atë që djeg kufomat për t’i marrë trupat dhe për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë, do t’i thotë atij që ndodhet brenda në shtëpi: "A ka të tjerë me ty?". Tjetri do të përgjigjet: "Jo". Dhe i pari do të thotë: "Hesht, sepse nuk duhet të përmendet emri i Zotit".

11 Sepse ja, Zoti urdhëron dhe e katandis shtëpinë e madhe në bajgë dhe të voglën në copëza.

12 Vallë, a rendin kuajt mbi shkëmbinjtë ose a lërohen ata me qe? Por ju e ktheni të drejtën në helm dhe frytin e drejtësisë në hidhërim,

13 ju, që gëzoheni për Lo-debarin, ju që thoni: "A nuk e kemi marrë për vete Karnaimin me forcën tonë?".

14 "Sepse ja, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, "unë do të ngre kundër jush një komb, që do t’ju shtypë nga hyrja e Hamathit deri të përroi i Arabahut".